Shkëlzen Haradinaj u nderua me Urdhrin Hero i Kosovës
Prishtinë, 21 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka marrë vendim që Shkëlzen Haradinajt ti jepet Urdhri Hero i Kosovës, me motivacion për trimërinë e treguar gjatë luftës çlirimtare për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.
Medaljen dhe dekoratën ajo ia ka dorëzuar babait të dëshmorit, Hilmi Haradinajt.
Vendimi për këtë urdhër u mor në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidentja e Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3, 5 dhe 49.
Urdhri Hero i Kosovës u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.