Shënohet Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve
Prishtinë, 30 mars - Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese - BIRN Kosova në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
Një fjalë hyrëse që e shënon 18 vjetorin e themelimit të BIRN-it do ta mbajë Jeta Xharra, bashkëthemeluese e BIRN-it në rajon dhe Kosovë.
Ndërsa, të gjeturat fillestare të hulumtimit për dezinformimin që po bëhet në gjithë Ballkanin Përendimor e tash edhe në Kosovë, do të shpalosen në këtë konferencë nga Kreshnik Gashi, bashkë-autor i këtij studimi.
Të gjeturat e këtij studimi do t’i komentojë Albin Kurti, kryeministri i Kosovës i cili e mban fjalimin kryesor pasuar nga Tomáš Szunyog, ambasadori i BE-së në Kosovë dhe Lutz Guellner, udhëheqës i Komunikimeve Strategjike, Task Forcave dhe Analizës së Informacioneve.
Fjalimet pasohen me një diskutim nga paneli i përbërë nga akterët e sektorit të mediave: Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës; Jeton Mehmeti, Komisioni i Pavarur për Media; Brikenda Rexhepi, Kryeredaktore në Koha Group, Faik Ispahiu, Internews Kosova dhe Budimir Nicic, Qendra Mediale në Çagllavicë.
Në shkurt të vitit 2023, divizioni i Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS), Stratcom, publikoi studimin e parë mbi Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Informacionit nga Jashtë (FIMI), e cila është bërë sfidë globale, komplekse dhe po përhaçet gjithnjë e më shumë. Kohët e fundit, Ukraina ka qenë targeti kryesor i operacioneve të FIMI-t rus.
Ky raport vuri në dukje se pushtimi në vetvete është kulmim i viteve të manipulimit dhe ndërhyrjes në informacion nga Rusia duke synuar të minojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Për më shumë, Kina duke përdorur zonën e saj globale mediatike dhe ndikimin ekonomik mbi mediat e tjera për të ndikuar në mbulimet dhe zhvillimet mediatike në mbarë botën ka ndërtuar praninë e saj në mjedisin global të informacionit.
Kosova prej kohësh e ka vendosur vetën si pjesë e komunitetit që synon të kuptojë manipulimin dhe ndërhyrjen në informacion dhe është duke punuar për të minimizuar ndikimin e tyre në Kosovë.
Në këto përpjekje, Zyra e BE-së në Kosovë dhe BIRN Kosova aktualisht janë duke punuar në një studim për dezinfomimin në Kosovë.
BIRN është anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve që nga viti 2017. Përpjekjet e BIRN për verifikimin e fakteve dhe ekspozimin e dezinformatave kanë ndihmuar që të fitoj besim të jashtëzakonshëm në publik dhe të fitojë dhjetëra çmime prestigjioze.
Ndërkohë ka një përpjekje të vazhdueshme për t’i kuptuar më mirë dhe për t’iu kundërvënë ndikimeve të ndryshme keqdashëse.