Shënohet dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara
Prishtinë, 3 dhjetor - HANDIKOS dhe Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, shënuan 3 dhjetorin ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.
Asambleja e Kombeve te Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 Dhjetorin ditë ndërkombëtare të personave me aftësi te kufizuar, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqene të personave me aftësi te kufizuar.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, parasheh se për tu mundësuar personave me aftësi të kufizuara që të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe që të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, shtetet marrin masa të duhura për tu siguruar personave me aftësi të kufizuar, në mënyrë të barabartë me të tjerët, qasje në mjediset fizike, në transport, në informacione dhe komunikime, duke i përfshirë teknologjitë dhe sistemet e informacioneve dhe të komunikimeve, dhe në objekte dhe shërbime të tjera që janë të hapura ose që i ofrohen publikut.
Me këtë rast, HANDIKOS dhe Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, organizuan konferencën QASJA DHE FUQIZIMI PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA, ku u diskutua për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, pozita në shoqëri, politikat dhe legjislacioni për këtë grup të shoqërisë. Në konferencë u theksua se institucionet duhet zbatuar Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, zbatim të ligjeve, njohje dhe respektim të drejtave, krijim të qasjes dhe ofrim të shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese, përfshirje në arsim dhe krijim të kushteve të përgjithshme për pjesëmarrje të barabartë në shoqëri të personave me aftësi të kufizuara..
Përveç kësaj, në bashkëpunim me KUSA u ekspozuan piktura te punuara nga fëmijët dhe rinjtë me aftësi të kufizuar, si dhe punime dore të ndryshme.
Ndërsa në vazhdën e shënimit të kësaj dite, me 2 dhjetor në Prishtinë është organizuar një turnir i basketbollit në karroca dhe një i tillë do të organizohet edhe me 4 dhjetor në Gjakovë. Po ashtu sot, në të gjitha komunat e Kosovës, për këtë ditë ndërkombëtare, degët e HANDIKOS-it organizojnë aktivitete të ndryshme me qëllim të promovimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.