Shënohet Dita e Evropës
Prishtinë, 9 maj - Me aktivitete të ndryshme në Kosovë sot shënohet Dita e Evropës. Përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare i kanë uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 9 Majit - Ditës së Evropës. Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi, uruan qytetarët e Kosovës, me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Jahjaga ka thënë se 9 maji Kosovën e gjen të bashkuar rreth vlerave dhe vizionit të integrimit në BE. Sipas saj, integrimi i Kosovës në BE varet nga angazhimi i të gjithëve.
Integrimi në BE varet prej nesh, prej institucioneve dhe qytetarëve, prej vullnetit dhe angazhimit tonë për të dëshmuar se jemi pjesë e Evropës dhe vlerave të saj. Nuk ka një rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE dhe ne nuk jemi të interesuar për një të tillë. Jemi të interesuar ti plotësojmë të gjitha kushtet, sepse vetëm kështu mund të krijojmë një shtet të qëndrueshëm, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe një demokraci të konsoliduar. Reformat që duhet ti ndërmarrim janë jo vetëm për hir të integrimit evropian, por për mirëqenien tonë, për qytetarin tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja, ka thënë Jahjaga.
Kurse kryeministri Thaçi, ka shprehur mirënjohjen ndaj shteteve të Bashkimit Evropian që, sipas tij, kontribuuan në të gjitha format për përkrahjen, mbrojtjen, çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës si në të kaluarën e afërt, ashtu dhe në ditët e sotme.
Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet çdo ditë me përkushtim për ti përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e nevojshme që Kosova ta zërë sa më parë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane, ka thënë Thaçi.
Edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ka thënë se është i lumtur pasi edhe Kosova do ta festojë Ditën e Evropës.
Jam i gëzuar që Kosova feston 9 Majin - Ditën e Evropës. Një gjë të tillë e shoh si afrim të Kosovës me Bashkimin Evropian. Është me rëndësi të them se për gjashtë muaj rresht kam vizituar të gjitha komunat e Kosovës. Ditën e fundit kam vizituar komunën e Prishtinës, është shprehur Zhbogar.
Kjo ditë, e cila edhe në Kosovë shënohet zyrtarisht, simbolizon lindjen e Evropës së bashkuar, krijimin e paqes dhe miqësisë midis kombeve të kontinentit.
Edhe Partia Demokracia Sociale e Kosovës (DSK), me rastin e 9 Majit- Ditës së Evropës, i uron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe qytetarët e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët janë në shërbim të detyrave të tyre në Republikën e Kosovës.
Demokracia Sociale e Kosovës (DSK), shpreh mirënjohje të veçantë për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon dhe perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës.
Demokracia Sociale e Kosovës, vlerëson se rruga e Kosovës drejt Evropës do të ketë para vetës shumë sfida, të cilat duhet të tejkalohen me kujdes të shtuar nga institucionet e Kosovës.