Shënohet Dita e Çlirimit të Prishtinës
Prishtinë, 11 qershor - Komuna e Prishtinës me një varg aktivitetesh sot shënon 15 vjetorin çlirimit të Prishtinës dhe fillimin e largimit të forcave serbe nga kryeqyteti.
Për nderë të 11 Qershorit në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë shfaqet program i shkurtër artistik, flasin Drejtori i Arsimit, Jusuf Thaçi, dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, si dhe bëhet ndarja e certifikatave dhe dhuratave për vendin e I,II, III. Shpërblim po ashtu do të ketë dhe për esenë më të mirë në Konkursin në shkallë komune Gjuhëtari i Ri 2014.
Po ashtu, do të zhvillohen dy ndeshje sportive miqësore në mes të ekipeve të Gjimnazit Sami Frashëri të Tiranës, dhe Gjimnazit Sami Frashëri të Prishtinës:
Kurse, Qendra Kulturore e Fëmijëve, pasdite organizon koncert me këngë dhe valle në Sallën e Kuqe, si dhe ekspozitë me punë dore nga fëmijë të shkollave fillore.
Ndërsa, në sheshin Zahir Pajaziti, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ndanë mirënjohje për të diplomuarit e gjeneratës së parë të Normales së Prishtinës, me rastin e 60-vjetorit të diplomimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, Kryetari Ahmeti do ta shpallë Qytetar Nderi të Komunës së Prishtinës, veteranin e luftës, ish-komandantin e Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, oficerin e karrierës nga Tirana,Adem Shehu, për të vazhduar në mbrëmje me një koncert në sheshin Zahir Pajaziti.
Çlirimi i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës ndërlidhet me ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe të veprimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve në ish Jugosllavi.
Përvjetori i çlirimit të Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi. Në të njëjtën ditë, pa koordinimin e NATO-së, në Kosovë kanë hyrë edhe forcat ruse, të cilat janë stacionuar në Aeroportin e Prishtinës.