Shënohet Dita e Çlirimit të Pejës
Pejë, 16 qershor - Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, bashkë me Shoqatën e Invalidëve dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, shënoi sot 18-vjetorin e çlirimit të Pejës.
Në këtë ditë, u bën homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek busti i Shkelzen Haradinajt dhe Lapidari i Dëshmorëve të Kombit në qendër të qytetit, ndërsa më pas u zbulua pllaka e dëshmorit Francesko Bider, në parkun që mban emrin e tij. Francesko ishte shtetas italian që dha jetën në Koshare, në luftë për çlirimin e vendit.
Po ashtu gjatë ditës është zhvilluar edhe një akademi solemne. Në akademi, fjalë rasti mbajtën: Sali Lajçi, në emër të eprorëve të UÇK-së, Fatmir Gashi, kryetari i AAK-së në Pejë dhe Safete Shala, kryetare e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Pejë.
Me këtë rast, dega e OVL të UÇK-së në Pejë, ndau mirënjohjet dhe dekoratat. Mirënjohje me motivacion: Lajmëtar i lirisë, u nda për Haki Morinen dhe Gazmend Agushollin.
Dekoratat me Urdhërin Adrian Krasniqi, me motivacion Luftëtar i dalluar u ndanë për: Avni Elezaj (post mortum), Shaban Lajqi Mixha (post mortum), Mahir Lajqi Rugova (post mortum), Adem Beka, Adem Islamaj, Arben Lulaj, Besnik Shala, Ilir Gashi, Mergim Shala, Sabit Kastrati, Nezir Isufi dhe Sami Krasniqi.
OVL e UÇK-së në Pejë njofton se dekoratat u miratuan nga ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj.