Shënohet Dita e Boshnjakëve, Kosova e të gjithëve
Prizren, 28 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar në Prizren ku ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Boshnjakëve të Kosovës.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve politikë, deputetëve dhe komunitetit boshnjak, ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova shumetnike e veçmas Prizreni i njohur për bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare është bërë i mundur edhe me kontributin që kanë dhënë boshnjakët kudo në Kosovë duke u integruar në jetën shoqërore dhe politike.
Sipas Hoxhajt, boshnjakët sikurse vetë shteti i Kosovës kanë pasur arritje dhe sfida por që janë tejkaluar me një vullnet dhe vendosmëri për të mirën e përbashkët dhe në Kosovën e të gjithëve e për të gjithë.
Çdo herë keni besuar në Kosovën dhe shteti i Kosovës ka besuar në ju. Keni përfaqësuar vlerat tuaja më të mira që janë njëherësh edhe vlera të Kosovës. Jeni komuniteti më dinamik dhe punëtor, pa kontributin e të cilëve as shteti ynë i lirë e i pavarur nuk do të ishte i mundur. Prandaj, ju ftoj që të vazhdoni të besoni në shtetin e Kosovës, në të cilin jetoni dhe punoni, ka thënë Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar i ka ftuar boshnjakët që të vazhdojnë të luajnë rol konstruktiv në ndërtimin e një Kosove demokratike dhe të zhvilluar ekonomikisht.
Më pas, ai ka takuar edhe përfaqësues të këtij komuniteti nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia.