Shënohet 6 vjetori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës
Prishtinë, 9 prill Me rastin e shënimit të 6-të vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Republikës së Kosovës në Prishtinë, ka organizuar ceremoni solemne.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë krerët me të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, Kryeministri, Hashim Thaçi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë, të shoqërisë civile, ambasadorë të akredituar në Kosovë, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadorë të vendeve evropiane etj., si dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Para të pranishmeve të kësaj ceremonie kanë folur Kryeministri Thaçi, Presidentja Jahjaga, Kryetari i Kuvendit Krasniqi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Hasani, të cilët folën për rendësin e Kushtetutës, mundin dhe punën që është bërë për të arritur deri të miratimi i saj.
Në fjalimin e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili ishte edhe Kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës tha se ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e konsiderojmë si ditë të veçantë për faktin se si akti i parë dhe më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, duke bërë që demokracia, barazia, shteti ligjor, të drejtat dhe liritë e njeriut, ekonomia e lirë e tregut dhe konkurrenca, të konsiderohen si vlera të shtetit tonë.