01 Maj 2024

Shënohet 13 vjetori i masakrës së Reçakut

Reçak, 15 janar - Banorë të Reçakut e kujtojnë sikur sot tragjedinë që kishin shkaktuar forcat serbe më 15 janar të vitit 1999. Atë ditë ishin nxjerrë me forcë njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe 42 i kishin masakruar në krye të fshatit. Të mbijetuarit e asaj masakre rrëfejnë për ditën e kobshme të 15 janarit të vitit 1999.

Në Kompleksin Memorial të Reçakut u bën homazhe tek varrezat e 42 viktimave. Masakra e Reçakut kishte ndikuar në intervenimin më të shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

“Djali ime e ka pasur emrin Lutfi Bilalli, djali im ka qenë më i madhi, ajo ditë më kujtohet si sot, si ajo ditë po ishalla kanë shkue për liri e për të mirë të vendit”, thotë Arife Billali.

“Unë kam qenë në atë ngjarje me vajzën e me rejën e djalë të vëllaut , me krejt të mitë, gjysen i kanë qit jashtë e i kanë masakrue e neve grave na kanë mshelë në qatë bodrum dhe kemi mbetur aty”, rrëfen Sadije Osmani, motra e të masakruarit Sadik Osmani.

Ndërkaq, Agron Mehmeti, i mbijetuari i kësaj masakre tregon:

“Unë jamë njëri ndër të tjerët që ishim atë ditë, tani sa vitet kalojnë ne kujtojmë edhe më shumë ngjarjen tragjike që ndodhi më 15 janar 1999, por ne tani kuptojmë dhe mendimi im është që ata u vranë për tri qëllime dhe u masakruan nga forcat serbe: 1 pse ishin Shqiptarë, 2 pse qëndruan në shtëpitë e tyre dhe 3 pse donin liri për vendin e tyre. Por, kur e kujtojmë masakrën e Reçakut ne kemi dhimbje, por jemi edhe kreanarë se gjaku i tyre është bazament i pavarësisë së vendit tonë”.

Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Fehmi Mujota tha se masakra e Reçakut kishte tronditur gjithë botën.

“E njohur ka qenë ajo ditë dhe aq krenare ka qenë ajo ditë, prandaj jemi këtu së bashku ne dhe miqtë tanë për ta ndarë pikëllimin dhe respektin me familjet që humbën më të dashurit e tyre si dhe për të kujtuar atë ditë të krimit kundër njerëzimit. Dhe, gjaku ishte nyja e fundit edhe për shtetet aleate të NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare që ta kuptonin se çka po ndodhte në Kosovë. Ky krim mbi njerëzimin i hapi rrugë një kthese të madhe të historisë së Kosovës që pati mbështetjen dhe reagimin e qartë ndërkombëtarë”, tha me këtë rast Ministri Mujota.

Në tubimin e sotëm në Reçak folën edhe veprimtari, Adem Demaçi, kryetari i Shtimes, Naim Ismaili, përfaqësuesi i shoqatave të luftës së UÇK-së Xhavit Jashari, e të tjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)