Shënohet 11 vjetori i vdekjes së presidentit Rugova
Prishtinë, 21 janar - Në Kosovë sot shënohet 11-vjetori i vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova i cili ishte njëherit edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me këtë rast Kryetari i LDK-së njëherësh dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, akademik Isa Mustafa, me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, do të bëjnë homazhe tek varri i tij, më pas do të vizitojnë familjen Rugova.
Po sot Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë një Akademi Përkujtimore, në të cilën pritet të flasë kryetar i saj dhe njeherit kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa.
Ibrahim Rugova ishte intelektual, shkencëtar, studiues i letrave dhe i kulturës, me një fjalë personalitet i shquar i botës shqiptare, bartës i shumë çmimeve ndërkombëtare për paqe, doktor honoris causa të universiteteve të Parisit VIII dhe të Tiranës, i Çmimit Saharov dhe shumë dekoratave ndërkombëtare për paqe, prijës i lëvizjes për emancipimin dhe çlirimin, për pavarësimin e Kosovës dhe për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Në tërë dekadën e fundit të shekullit 20, Ibrahim Rugova u njoh ndërkombëtarisht si lideri i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, lideri i lëvizjes së gjerë për emancipim, për çlirim kombëtar e për pavarësi të Kosovës.
Personaliteti i tij u çmua lart për shpalosjen dhe begatimin e vlerave evropiane të kohës Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 pas një beteje me kancerin në mushkëri.
Rugova është shpallur hero i Kosovës nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Ibrahim Rugova vdiq me 21 janar 2006, ndërsa u varros më 26 janar me nderime te larta shtetërore dhe ushtarake.