SHBA vlerëson marrëveshjen për gjurmimin e armëve të paligjshme
Prishtinë, 13 mars - Sot, Ambasada Amerikane vlerësoi lartë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Amerikane të Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF).
Memorandumi i mundëson Qeverisë së Kosovës qasje të lirë në sistemin elektronik eTrace, i cili përdoret për gjurmimin e armëve të paligjshme. Nisma e eTrace është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar trafikimin me armë.
Jam krenare për rolin që luajti Ambasada Amerikane për të bërë bashkë përfaqësuesit e MPB-së dhe të ATF-së për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, tha ambasadorja amerikane, Tracey Jacobson.
Sistemi eTrace mund të ndihmojë në fuqizimin e komunitetit kosovarë për zbatimin e ligjit duke ofruar informata të çmueshme për të ndaluar trafikimin e paligjshëm me armë. Qeveria Amerikane është krenare që mund tju bashkëngjitet në këto përpjekje dhe shpresojmë të dëgjojmë për sukseset tuaja, vlerësoj Jacobson.
eTrace është modul elektronik i dorëzimit të armëve dhe i analizave kompjuterike, i cili është në dispozicion përmes lidhjes së sigurt të internetit.
Programi mundëson gjurmimin e të dhënave për analizën e armëve të zjarrit, i cili mund të ndihmojë në identifikimin e mënyrës së trafikimit, si dhe profilizimin gjeografik të vatrave të nxehta kriminale dhe burimeve të mundshme të armëve të paligjshme.
Kosova është shteti i 35-të që nënshkruan marrëveshje zyrtare eTrace me ATF-në dhe është shteti i parë në Ballkan, i cili do të përdorë këtë program.
ATF-ja ia ofron Qeverisë së Kosovës këtë program pa pagesë. ATF është agjenci e Departamentit të Shtetit për zbatimin e ligjit, e përkushtuar për parandalimin e krimeve të dhunshme.
Në këtë ceremoni, Qeveria e Kosovës u përfaqësua nga Zëvendës-ministri i Punëve të Brendshme, Sasa Rasic, kurse Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Drejtori për Siguri Publike, Driton Gashi.