SHBA vlerëson Kosovën në lidhje me strehimin e qytetarëve afganë
Prishtinë, 18 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, zhvilloi takimin e rregullt javor me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, i shoqëruar nga zyrtarja për çështje politike, Mia ter Haar.
Në këtë takim të rregullt, kryeministri Kurti dhe i ngarkuari me punë në ambasadën e ShBA-ve, Giacobbe diskutuan për zhvillimet në vend, bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe për procesin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për angazhimin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër të saj ka njohjen reciproke dhe nga e cila përfitojnë popujt dhe qytetarët e dy vendeve.
I ngarkuari me punë në ambasadën e ShBA-ve, Giacobbe shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, sidomos në lidhje me strehimin e qytetarëve afganë në Kosovë.
Falë këtij bashkëpunimi, sot në mëngjes edhe 54 qytetarë afganë që kishin gjetë strehim të përkohshëm në Kosovë tashmë kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të filluar jetën e tyre të re.
Ai po ashtu tha se ka mirëpritur ftesën e Qeverisë amerikane për Kosovën në Samitin e Demokracisë.â