SHBA-të do të mbështesin fuqishëm shtetndërtimin e Kosovë
Prishtinë, 18 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns.
Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës, për progresin që ka arritur Kosova në katër vjet shtetësi, si dhe për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se në katër vjetorin e shpalljes shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, Republika e Kosovës është shtet edhe më i konsoliduar, me institucione stabile dhe efektive, me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit, si dhe respektim afirmativ të komuniteteve.
Republika e Kosovës është një tregim i suksesshëm, me të cilin krenohemi të gjithë, por edhe miqtë tanë. Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik, diplomatik, dhe atë të zhvillimit ekonomik është shprehur në takim kryeministri Thaçi.
Në vazhdim, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se Viti 2012 është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e rritjes së standardeve demokratike. Institucionet ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë kanë mbështetur fuqishëm agjendën që çon drejt kësaj përmbylljeje ka thënë Thaçi.
Në takim me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns, kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë mbështetjën e vazhdueshme që Qeveria Amerikane i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme, që nga procesi i çlirimit, i pavarësimit, si dhe tani në procesin e zhvillimit dhe integrimit.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se marrëdhëniet e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm sa do të thellohen në sferat me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, Zëvendës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, William Burns, pasi ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës për pritjen e përzemërt, ka ritheksuar vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme të SHBA-ve për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, Burns në takim po ashtu theksoi se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm shtetndërtimin e Kosovës, edhe pas përmbylljes së mbikqyrjes së Pavarësisë.
Para takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA).
Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, William Burns dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.