SHBA-të dhe Kosova do të forcojnë partneritetin strategjik
Prishtinë, 22 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar për progresin e brendshëm në Kosovë si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Hoxhaj shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin për avancimin e procesit të njohjeve, anëtarësimin në iniciativat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik, avancimin e proceseve integruese euro-atlantike si dhe proceset e tjera shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke siguruar ministrin Hoxhaj për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-ve.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Hoxhaj theksoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për kurorëzimin e suksesshëm të këtij procesi dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur ditë më parë në Bruksel, duke e vlerësuar si vendimtare për suksesin e tij, përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve.
Ndërkaq, ambasadorja Jacobson ka shprehur përkrahjen e SHBA-vë për këtë proces të rëndësishëm për dy shtetet.
Lidhur me rrugën integruese evropiane të Kosovës, Hoxhaj theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e kritereve të nevojshme për avancimin e agjendës integruese, duke filluar nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Hoxhaj dhe Jacobson kanë diskutuar edhe për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral dhe partneritet strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.
Në këtë pikë, u bisedua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit që ekziston ndërmjet Kosovë dhe shtetit të Iowa-s si dhe lidhja e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe me shtete të tjera të SHBA-ve.