SHBA me qëndrim shumë të fortë për integritetin e Kosovës
Beograd, 5 mars - Në një intervistë për gazetën "Blic", ambasadorja amerikane në Beograd, Meri Vorlik ka nënvizuar se SHBA-të konsiderojnë se "është në interesin më të madh të Serbisë, që në dritën e qëllimit më të rëndësishëm të përfshirjes në BE, të gjejë rrugën që të ecë përpara në marrëdhëniet me Kosovën".
E pyetur sesi duhet të zhvillohen bisedimet me Prishtinën për zgjidhjen e çështjeve konkrete, direkt apo me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së dhe OKB, Vorlik tha se nuk i takon Uashingtonit të përcaktojë se cilët zyrtarë të Serbisë duhet të punojnë në këto probleme.
"Kemi një qëndrim shumë të fortë kur bëhet fjalë për pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe besojmë që çështja e statusit është zgjidhur. Do të donim që të shohim që kanalet për bisedime të hapen midis EULEX-it, zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve, për t'i zgjidhur çështjet më të rëndësishme", tha Vorlik.
Sipas vlerësimit të ambasadores amerikane, është me rëndësi të ekzistojnë "kanale për bisedime" për të gjitha çështje e rëndësishme dhe të ndikojnë në cilësinë e jetës në Kosovë si dhe të ekzistojë vullneti që këto çështje të zgjidhen.