SHBA me përkrahje tё pa rezervë pёr Ministrinë e Drejtësisë
Prishtinë, 22 korrik - Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Greg Delawie i cili ishte i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës sё zëvendës ambasadorit njёherit udhëheqësi i misionit tё USAID z. James Hope.
Në këtë takim Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin Delawie për ndihmën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë Ministrisë dhe institucioneve të sigurisë dhe ligjit, njёherit e siguroi z. Delawie për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit.
Ministrja Hoxha shfaqi përkushtimin për promovimin e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies si parime kyçe të qeverisjes së mirë. Përkrahja për gjykatat dhe gjykatësit, mbështetja institucionale, siguria dhe mbrojtja e qytetarëve, reformat në kodin penal dhe procedurën penale, si dhe mos ndikimi i politikës në gjyqësor do të jenë prioritetet kyçe tha Ministrja Hoxha.
Në kuadër të kësaj, Ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për pozitën e re dhe shfaqi përkrahjen e pa rezervë për realizimin e këtyre objektivave dhe përballimin e sfidave. Mbështetja dhe bashkëpunimi me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë çelësi kyç në bashkërendimin e punëve.