SHBA mbetet partnere e mike e Kosovës
Uashington, 15 shkurt - Sekretari i ri amerikan i Shtetitm John Kerry, ia ka uruar popullit të Kosovës pesëvjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar se Shtetet e Bashkuara mbesin fuqishëm të përkushtuara për ta përkrahur Kosovën e pavarur, sovrane dhe shumetnike.
Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara, kam kënaqësinë tia përcjell dëshirat më të mira popullit të Republikës së Kosovës përderisa festoni përvjetorin e pestë të pavarësisë më 17 shkurt, thuhet në fillim të urimit, në të cilin, viti 2012, vlerësohet të ketë qenë vit i të arriturave të mëdha për Kosovën, duke përfshirë përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe përparimin në dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara mbesin fuqishëm të përkushtuara për ta përkrahur Kosovën e pavarur, sovrane dhe shumetnike.
Kerry i ka përgëzuar udhëheqësit e Kosovës për përkushtimin e tyre për të ndërtuar institucione më të forta demokratike, për të përkrahur mundësitë e reja në ekonomi, për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të forcuar rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Ai ka thënë se puna e vazhdueshme në këto fusha shërben për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm rajonal dhe begatinë e vendit tuaj.
Përderisa kremtoni këtë ditë të veçantë, dijeni se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Kosovës si partnere dhe mike e saj. Në këtë festë, e uroj tërë popullin e Kosovës dhe ju dëshiroj suksese të mëdha në vitin që vjen, ka deklaruar sekretari Kerry.