SHBA mbështetë fuqishëm shtetin e Kosovës
Ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadoren Jacobson për progresin në Kosovë, për avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve, anëtarësimin në organizatat rajonale, evropiane e ndërkombëtare si dhe për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës.
Duke folur për proceset integruese të Kosovës, Hoxhaj ka vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për Republikën e Kosovës përkrahja e fuqishme e SHBA-ve në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Ministri Hoxhaj, me këtë rast, ka falënderuar popullin dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e dhënë për Kosovën, në të gjitha proceset e deritashme.
Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar edhe për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.
Po ashtu, në takim është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe rëndësinë e implementimit të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, vlerësoi lart progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e fuqishme të administratës amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe për proceset integruese euroatlantike.