SHBA e dëshpëruar me ata qe duan ta sakrifikojnë të ardhmen e Kosovës me interesat e tyre personale
Prishtinë, 29 dhjetor - Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë përmes një deklarate për media ka thënë se gjatë kësaj jave udhëheqësit e Kosovës kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një inicijativë lidhur me Gjykatën Speciale, e ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
"Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara", thuhet në deklaratën e SHBA-ve.
Gjithashtu, kërcënimet me dhunë sipas ambasades janë tërësisht të papranueshme, dhe qartësisht dhe pa mëdyshje ato duhet të hidhen poshtë nga Qeveria.
"Jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale", thekson ambasada e SHBA-ve.