SHBA e BE mirëpresin themelimin e Gjykatës Speciale
Prishtinë, 4 gusht - Ambasada Amerikane në Prishtinë, përfaqësitë e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së, mirëpresin aprovimin e amendamentit kushtetues dhe ligjit të nevojshëm për themelimin e Dhomave të Specializuara.
Përmes një deklarate të përbashkët ata thanë se ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën euro-atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë.
Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë, thuhet në deklaratë.