SHBA dhe BE kritikojnë mënyrën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit
Prishtinë, 7 prill - Diplomatët perëndimorë, dhe organizatat që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë, kritikuan të enjten Këshillin Prokurorial të Kosovës për siç thanë, procedurat e ndjekura për zgjedhjen e kandidatit për postin e kryeprokurorit të Shtetit.
Të mërkurën, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, propozuan prokurorin Blerim Isufaj për postin e kryeprokurorit të Shtetit, në një proces siç u tha “objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe të bazuar plotësisht në meritokraci”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u shpreh i shqetësuar për mënyrën e ndjekjes së procedurave nga ana e Këshillit Prokurorial, të cilat sipas tij kanë dëmtuar besimin e qytetarëve dhe besimin e Shteteve të Bashkuara në këtë institucion.
“Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pritshmëri për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit, të cilat ne besojmë se janë të përbashkëta me qytetarët e Kosovës: të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita. Fakti që anëtarët e KPK-së e shpërfillën ligjin, ankesat dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bien ndesh me atë standard”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur kandidat të preferuar dhe as kanë gjykuar kualifikimet e kandidatëve individualë.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës përfundoi procesin e përzgjedhjes duke i shpërfillur këto parime. “Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, shkroi zoti Szunyog.
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde e quajti zhgënjyes vendimin dhe jo rrugë që çon përpara.
Në një raport të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Grupit për studime juridike dhe politike si dhe lëvizjes FOL, që kanë vëzhguar procesin, thuhet se Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. “Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve”, thuhet në raport.
Sipas raportit të organizatave të shoqërisë civile, “Këshilli Prokurorial ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit”.
Më tej thuhet se “një veprim i tillë i Këshillit vetëm sa reflekton edhe më tutje faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje, ashtu siç kishte tërhequr vërejtjen për një rrezik të tillë edhe Komisioni i Venecias në opinionin për Kosovën CDL-AD(2021)051”.
Organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që mangësitë e theksuara gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim.
Kryeprokurori i ri i Shtetit sipas procedurave duhet të dekretohet nga presidentja e vendit.
Kryeprokurori i Shtetit ka një mandat shtatë vjeçar dhe llogaritet si një nga postet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.