SHBA dënojnë vrasjen në Mitrovicën e Veriut
Uashington, 17 janar - Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar vrasjen e mbrëmshme në Mitrovicën e Veriut të Dimitrije Janicijevic. Zëdhënësja Jen Psaki bëri thirrje për respektim të vullnetit demokratik të njerëzve në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dënuar vrasjen e mbrëmshme të Dimitrije Janicijevic në Mitrovicën e Veriut dhe ka bërë thirrje te organet e hetuesisë në Kosovë që përgjegjësit e këtij aktit të sillen para drejtësisë.
Shtetet e Bashkuara i bashkohen dënimit të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj vrasjes së mbrëmshme të Dimitrije Janicijevic, ish kandidat për Kryetar dhe këshilltar i zgjedhur komunal në Mitrovicën e Veriut, ka thënë Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki.
Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Janicijevic dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që ta ndërmarrin një hetim të gjerë dhe të shpejtë dhe tI sjellin përgjegjësit para drejtësisë.
Shtetet e Bashkuara nënvizojnë mbështetjen e tyre të fuqishme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në implementimin e plotë të marrëveshjes së 19 prillit të lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve- përfshirë themelimin e institucioneve legjitime, demokratike dhe efikase dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovën veriore- në mënyrë që njerëzve që jetojnë atje tu ofrohet një e ardhme më e mirë. Dhuna dhe kërcënimi nuk kanë vend në procesin politik dhe vetëm sa i pengojnë këto aspirata, thuhet në komunikaten për media Departamentit të Shtetit.
SHBA kërkon nga të gjitha komunitetet dhe partitë politike në Kosovë që të punojnë bashkë për ti ulur tensionet dhe për respektimin e vullnetit demokratik të njerëzve.