Shala: Nuk ka koalicion me PDK-në

Prishtinë, 7 shtator - Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, mohon çdo mundësi që partia e tij të hyjë në një koalicion me PDK-në.
Ai thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë fund njëherë e përgjithmonë koalicionit me partinë e Hashim Thaçit.
Zërat për krijimin e një koalicioni të gjerë janë shtuar në kohën kur pritet të mbahet seanca konstituive e përcaktuar tashmë për 12 shtator. Madje, ditëve të fundit ka pasur edhe përfolje se LDK-ja është e gatshme të bëhet sërish bashkë me PDK-në, nëse dy partnerët e koalicionit AAK dhe Nisma nuk pranojnë që Mustafa ta udhëheq qeverinë.
Por, këta zëra i ka demantuar anëtari i kryesisë së LDK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës Kujtim Shala. Në një deklaratë për Botapress, deputeti Shala mohon çdo mundësi që dy partitë e mëdha të hyjnë në një koalicion.
Ai nuk e di se prej nga e kanë prejardhjen spekulimet e tilla, por thotë se koalicioni PDK-LDK i takon së kaluarës. Nuk e di se kush po spekulon, por nuk do të ndodh as koalicioni me PDK-në e as nuk do të prishet marrëveshja e bllokut, tha Shala.
Sipas tij, LDK-ja tashmë është e vendosur se qoftë si partia e parë, e dytë apo edhe e fundit që të mos bëjë asnjëherë koalicion me PDK-në. Kjo për faktin, se për LDK-në partia e drejtuar nga Thaçi nuk është partner kredibil, dhe si rezultat i kësaj LDK ka ndërtuar partneritet me subjektet tjera me të cilat do të ndërtoj institucionet dhe do të punoj së bashku në interes të qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se tashmë ekziston një koalicion i shumicës bashkë me partnerët dhe të gjithë liderët politik të këtyre partive po punojnë deri në fund që të formohen institucionet e vendit.
Institucionet në demokracinë parlamentare formohen me vullnetin politik të shumicës. Ne e kemi atë shumicë dhe këtë do ta provojmë edhe në seancën e ardhshme të Kuvendit, tha Shala.