Shaip Muja kërkon largimin e Albin Kurtit
Prishtinë, 2 shkurt - Deputeti i PDK-së, Shaip Muja ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e Albin Kurtit nga posti i Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme.
Deputeti i PDK-së akuzon kreun e Vetëvendosjes për izolim të Komisionit dhe për shkelje të ligjit.
Kërkesën për shkarkimin e Kurtit, Muja e ka bërë të mërkurën, në mbledhjen e Komisionit, të cilën e ka udhëhequr nënkryetari Hydajet Hyseni, por se nuk është diskutuar për shkarkimin e Kryetarit për shkak se Kurti ndodhet në Gjermani.
Në kërkesën dyfaqëshe, Muja ka pasur ankesa për publikimin e vlerësimeve të Liderit të Vetëvendosjes për kandidatët për ambasadorë, për të cilët ka dhënë vlerësime negative, me përjashtim të Sylejman Selimit.
Sipas Mujës, publikimi i komenteve konfidenciale të Albin Kurtit për ambasadorë është e kundërligjshme dhe për këtë duhet të japë dorëheqje.
\"Me këto veprime të dhënash jokonfidenciale, duke i vlerësuar kandidatët për ambasadorë me fjalë të ulëta, duke ua ulur vlerat dhe dinjitetin e tyre, jepte shenja te shtete mike për joseriozitet të Qeverisë, ka shkruar Muja, në arsyetimin e dhënë.
Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se mundësia për të ndryshuar kryetarët e komisioneve është shumë e vogël, veç nëse partia vendos ta ndërrojë anëtarin e vet.
Megjithëkëtë, sipas vlerësimeve të deputetit të PDK-së, Lideri i Vetëvendosjes po flet si një njeri me komplekse personale dhe nacionale dhe po dëshiron ta shndërrojë rendin juridik në rend anarkik.
Sipas Mujës, për shkak të Albinit, Komisioni ka mbetur i mbyllur.