Sfirca edhe 4 vjet në krye të degës së dytë të PD-së në Prishtinë
Prishtinë, 10 maj - Në vazhdën e zgjedhjeve të brendshme, Partia e Drejtësisë ka mbajtur edhe kuvendin e 15-të të radhës. Të shtunën mbrëma u mbajtë Kuvendi i Degës së Dytë në Prishtinë, me çrast edhe një mandat iu besua kryetarit aktual, Jeton Sfircës.
Gjithashtu u zgjodh kryesia e re dhe delegatët që do ta përfaqësojnë këtë degë në Kuvendin Qendror të PD-së.
Kryetarit i porsazgjedhur, Jeton Sfirca, në fjalën e tij falenderoi kuvendarët për besimin e dhënë dhe njëkohësisht potencoi se nuk do të kursejë asgjë nga vetja e tij për të qenë në shërbim të partisë, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme zëri i PD-së në Komunën e Prishtinës të jetë edhe më I fuqishëm.
Fuqizimi i rolit të rinisë dhe gruas, janë dy prioritetet që Sfirca i shpalosi para delegatëve, ndërsa tha se do të angazhohet edhe për mirëqenien e qytetarëve prishtinas në çdo sferë të jetës.
E kryetari i PD-së, Ferid Agani, në fjalën e tij përgëzoi kryetarin Sfirca për pozitën e re, duke i dhënë mbështetje në rrugëtimin e tij për fuqizimin e strukturave të reja në të gjithë qytetin e Prishtinës.
Agani tha se PD-ja është parti shtetndërtuese që ruan vlerat kombëtare dhe fetare të qytetarëve të saj, e njëkohësisht me këto vlera synon edhe integrimin në familjen e madhe evropiane.
Ndryshe, Partia e Drejtësisë, në Komunën e Prishtinës është e përfaqësuar me dy asambleistë.