03 Maj 2024

Serbia të shpërbëjë strukturat kriminale në Kosovë

New York, 30 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalimin e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka paraqitur zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës.

Duke folur për të arriturat dhe për perspektiven evropiane, Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova sot është një shtet funksional shumetnik me një shoqëri diverse dhe me më së shumti stabilitet politik në Ballkan.

"Ekonomia gjithashtu ka përfituar nga stabiliteti politik. Ka pasur një progres të dalluar në sundimin e ligjit. Perspektiva evropiane ka filluar të formësojë shpejtë diskursin politik në Republikën e Kosovës. Procesi i liberalizimit të vizave dhe themelimi i marrëdhënieve kontraktuese me Bashkimin Evropian, mbeten prioritetet kryesore për Kosovën", ka theksuar ai.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ku është rritur niveli i njohjeve të pavarësisë nga shtetet tjera.

"Kjo është rezultat i strategjisë së re të Qeverisë së Kosovës. Ne shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë qeveritë e Andorrës, Republikës Qendrore Afrikane, Nigerit, Guinea Konakrit, Beninit dhe Shën Lucisë për njohjen e Republikës së Kosovës në javët e fundit. Ne gjithashtu falënderojmë Organizatën e Bashkëpunimit Islamik për thirrjen e hapur në qershor në Astana, për të gjitha shtetet anëtare për ta njohur Republikën e Kosovës. Kjo tregon se Kosova në fakt është duke u bërë shpejt një anëtar i ri dhe i përgjegjshëm i Komunitetit Ndërkombëtar", ka shtuar ai.

Duke sqaruar rrjedhën e dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Ministri Hoxhaj ka theksuar se ishin paraparë disa takime gjatë verës, por delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë në takimin e caktuar për muajin korrik.

"Ne kemi shpresuar të arrijmë marrëveshje në çështjet më të rëndësishme ekonomike që kanë rënduar Kosovën, domethënë refuzimi i Serbisë të pranojë vulat doganore të Kosovës. Kjo na detyroi të marrim masa të reciprocitetit kundër mallrave të Serbisë. Kjo ndodhi pas më shumë se tre viteve të mundimit ekonomik si rezultat i bllokadës së Serbisë ndaj eksporteve tona. Kjo gjithashtu na detyroi për të marrë kontrollin ndaj kalimeve tona kufitare në veri", ka thënë Ministri në fjalimin e tij.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka sqaruar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të dërguar Njësinë Speciale në veri të vendit. "Më lejoni të bëhem i qartë në këtë çështje: ne dërguam forcat e policisë së Kosovës në kufijtë e veriut jo për t’i trazuar qytetarët apo për t’i sulmuar ata. Ne thjesht kemi kërkuar përforcimin e masave të reciprocitetit në tregti kur të gjitha përpjekjet për të negociuar çështjen patën dështuar", ka theksuar ai.

Veprimet e Qeverisë së Kosovës, sipas Hoxhajt, ishin një ushtrim legjitim i autoritetit të policisë. "Ajo çfarë ka ndodhë ishte, sinqerisht, sfida më e madhe që ne kemi parë ndaj paqes në Ballkan në shumë vite. Strukturat ilegale serbe kanë përdorur eksplozivë, armë automatike dhe snajperë për të sulmuar Policinë e Kosovës, policinë e EULEX-it dhe KFOR-in. Një polic i Kosovës u vra nga këta ekstremistë dhe kriminelë që financohen nga Beogradi dhe aktivitetet kontrabandë. E përsëris, Policia e Kosovës nuk ka përdorë dhunë. Ka qenë Qeveria e Serbisë që ka kryer akte dhune përbrenda territorit të Kosovës", ka nënvizuar ai.

Ai po ashtu ka folur për rolin e KFOR-it dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë në parandalimin e dhunës në veri. "Dhuna është ndalur duke iu falënderuar KFOR-it dhe komandantit Buhler", ka thënë Hoxhaj.

Duke folur për vulat doganore të Kosovës, Ministri Hoxhaj në fjalimin e tij ka potencuar se Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, CEFTA, madje edhe Serbia – të gjithë janë pajtuar më herët se Kosova është një hapësirë e vetme doganore.  "Përderisa Kosova dhe Serbia mund të mos pajtohen se si ta ndërtojnë marrëdhënien e tyre reciproke, askush në këtë dhomë mund të mos pajtohet me faktin se Serbia nuk ka të drejtë ligjore për të financuar dhe mbështetur institucionet e saja të armatosura, paramilitare, të sigurisë, inteligjencës dhe të tjera në Kosovë. Në 12 vitet e fundit, Qeveria e Serbisë ka investuar 6 miliardë euro për të mbajtur dhe kontrolluar ato struktura ilegale në Kosovë", ka thënë Hoxhaj.

Ai ka kërkuar që Serbia duhet të shpërbëjë strukturat paralele ilegale nga Republika e Kosovës dhe të heq dorë nga financimi i grupeve kriminale në veri. "Kjo duhet të marrë fund – sepse shkel Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Ahtisaarit, dhe të drejtën ndërkombëtare. Kur këto forca janë duke u përdorur për të sulmuar policinë e Kosovës, policinë e EULEX-it dhe trupat e KFOR-it, ky është një sulm i rëndë mbi të gjithë arkitekturën e sigurisë të themeluar në Ballkan më 1999. Disa prej problemeve kryesore të raportuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara sot këtu kanë të bëjnë me faktin se Serbia jo vetëm që insiston në mbështetjen e strukturave kriminale në Kosovë, por gjithashtu është në mënyrë aktive duke penguar integrimin e serbëve të Kosovës", ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka folur për të drejtat e minoriteteve, bazuar në Planin e Ahtisaarit, ku serbët e Kosovës gëzojnë një pjesë të gjerë të trajtimit të privilegjuar, diskriminimit pozitiv, dhe vetëqeverisjes në sektorë të caktuar.

"Kosova ka dëshmuar që mund të japë për minoritetet: komunat e reja si Graçanica, Novobërda, Ranillugu, Parteshi, Shtërpce kanë arritur të bëhen plotësisht funksionale. Kjo tregon përfshirjen e plotë dhe përfitime ekonomike për popullatën lokale serbe, qe ka ndodh fale përkushtimit të lidershipit lokal serb nën udhëheqjen e Zv.kryeministrit Sllobodan Petroviq. Në anën tjetër, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica veriore kurrë nuk kanë pasur zgjedhje të duhura dhe të lira. Ky është këndi i vetëm i Evropës ku strukturat kriminale janë duke mbajtur peng popullatën lokale ndaj qëllimeve ekstremiste. Kjo duhet të ndryshojë", ka theksuar ai.

Sipas Ministrit Hoxhaj, kjo ka rezultuar në një pjesë që ekziston jashtë aplikimit të ligjit të Kosovës dhe nën kontrollin e strukturave ilegale serbe. Ministri Hoxhaj ka shtuar se veriu është bërë “vrimë e zezë” ku kriminelët -  e të gjitha etnive – mund të përparojnë dhe ku nuk ka siguri ligjore për asnjë qytetar. "Është një parajsë e kontrabandistëve në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku kriminelët dhe kontrabandistët janë duke përfituar dhe qytetarët e zakonshëm janë duke jetuar në kushte shumë të vështira. Në kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të mos tolerojë përpjekjet që sfidojnë rendin ligjor të themeluar pas miratimit të Rezolutës 1244. Qeveria e Kosovës është e përcaktuar të sigurojë se sundimi i ligjit zbatohet në të gjithë territorin e saj. Ne nuk do të përdorim forcën, por as nuk kemi nevojë. Por do të përdorim të gjithë përkushtimin tonë", ka paralajmëruar Ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova është dhe do të jetë vend i lirë për të gjithë kosovarët, pavarësisht se a janë shqiptarë, serbë, romë, turq, boshnjakë, kroatë, malazezë apo të tjerë.

"Ne nuk dëshirojmë të imponojmë asnjë sundim në veri përveç sundimit të ligjit. Nëse përfaqësuesit politikë serbë bëjnë shumë prej të drejtave të gjera politike afirmative nën Planin e Ahtisaarit, është çështje e zgjedhjes së tyre. Por së paku ata duhet të kenë të drejtën të zgjedhin dhe Plani i Ahtisaarit është korniza më e mirë për këtë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Policinë e Kosovës, KFOR-in, EULEX-in për të siguruar se Kosova arrin më shumë progres në sundimin e ligjit. Sfidat e Kosovës janë të mëdha por ato gjithashtu sigurojnë një dritare të re të mundësisë", ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka thënë se në Kosovë status-quoja ka përfunduar. "Tani që çështja e statusit është prapa nesh, dialogu ndërmjet dy vendeve mund të bëhet gjenerator i vullnetit të mirë dhe zgjidhjeve të mira. Ne jemi të kënaqur të shohim se një përpjekje koherente ndërkombëtare po ndodh për të lëvizur nga situata e konfliktit të ngrirë dhe status-quosë. E përsëris, status-quajo, konflikti i ngrirë dhe ndarja janë tërësisht të papranueshme. Po ashtu nuk ka kthimin ne stituatën e para 25 korrikut", ka shtuar ai.

"Pas 12 vitesh Serbia duhet të shpërndajë strukturat paralele dhe duhet të fillojë ta pranojë vendin e ri të pavarur si fqinj dhe partner. Qeveria e Kosovës do të dyfishojë përpjekjet për të siguruar përfaqësim demokratik në tërë Kosovën që nga baza politike në nivelin komunal. Institucionet tona janë të hapura për të gjithë ata që kërkojnë ndryshime politike përmes masave institucionale, përfshirë politikanët serbë nga veriu. Shpresoj që Këshill i Sigurimit do ta njohë progresin në Ballkan dhe do t’i mbështesë të dy palët për t’u angazhuar në dialog. Kjo do të konfirmojë principet bazë të refuzimit të dhunës, ndarjes etnike dhe respektit për sundimin e ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës", ka përfunduar Ministri Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)