Serbia nuk lejon Makollin të vizitojë Preshevën
Vizita ishte koordinuar me autoritetet komunale të Preshevës dhe Bujanovcit, të cila i kanë njoftuar me kohë autoritete në Beograd lidhur me vizitën e ministrit.
Me planin e vizitës së Ministrit Ibrahim Makolli në Luginë të Preshevës, Ministria e Diasporës e ka njoftuar edhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e paralajmëruar të Ministrit Makolli në Luginë të Preshevës e konsideron vazhdimësi të politikës serbe e ngecur në mendësinë e të kaluarës.
Ministri i Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, e kishte të planifikuar kohë më parë vizitën e tij në Luginë të Preshevës me qëllim njohjen për situatën politike e ekonomike të shqiptarëve si dhe bashkërendimin e aktiviteteve në çështjet që prekin diasporën shqiptare në botë.