Serbët, vendimtar në formimin e Qeverisë
Prishtinë, 5 gusht - Zyrtarë të lartë politik serbë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, kanë nisur të shpërfaqin haptas bindjen se deputetët serb, e veçmas ata të Listës Srpska, do jenë faktor vendimtar në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ndaras, në forma të ndryshme, pothuajse të njëjtën gjë, të hënën e kanë thënë ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq si dhe shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Në fakt, pjesëmarrja e serbëve në Qeveri është një lloj obligimi kushtetues, por në rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të fundit, ku PDK si parti fituese ka mbetur pa partner për ta bërë Qeverinë, dhe koalicioni LDK-AAK-Nisma ende nuk kanë bërë marrëveshje me Vetëvendosjen, përfaqësuesit serb kanë fuqizuar rolin e tyre.
Jevtiq dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës, Jasmina Zhivkoviq dhe Sasa Milosavljeviq, gjatë një vizite në Ajnovce të Komunës së Kamenicës dhe Kishën e Shën Maria Magdalena, së bashku me shtatëdhjetë besimtarë që morën pjesë në liturgjinë solemne dhe procesion, ka përmendur se ai ishte i sigurt se zgjedhje të reja në Kosovë nuk do të ketë dhe se nëntë deputetë të komunitetit serb do të jenë faktor` vendimtarë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
/Tribuna/