Serbët nuk duan që Asociacioni i Komunave të funksionojë si OJQ
Prishtinë, 16 dhjetor - Betejë të ashpër ligjore rreth krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë paralajmëruar zyrtarë serbë në Qeverinë së Kosovës.
Komisioni për qeverisje lokale në Kuvendin e Kosovës nga legjislatura e kaluar pati propozuar futjen e dy amendamenteve në Ligjin mbi vetëqeverisjen Lokale, që i referohen krijimit të asociacioneve.
I pari, kërkonte që Asociacioni të veprojë konform Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale dhe, i dyti, Asociacioni të regjistrohet si OJQ që administrohet nga Ministria e Administratës Publike, shkruan Koha Ditore.
Këto ndryshime dhe të tjera që janë iniciuar nuk kanë mundur të hyjnë në fuqi për shkak se Kuvendi u shpërnda para kohe në qershor të këtij viti.
Rregulli thotë se ligjet që mbesin në procedurë shkaku i ndërprerjes së parakohshme të punës së Kuvendit, i kthehen sponsorizuesit.
/Koha Ditore/