29 Prill 2024

Serbët në veri të Kosovës, të ndarë për referendumin

Mitrovicë, 2 shkurt - Përfaqësuesit e serbëve të komunave veriore të Kosovës nuk e kanë caktuar nëse do të mbajnë apo jo referendumin më 15 shkurt, ashtu siç kishin paralajmëruar, apo atë ta shtyjnë për më vonë.

Disa nga liderët serbë tashmë janë deklaruar kundër mbajtjes së këtij referendumi, pasi  siç thonë ata, dëmton interesat serbe karshi Bashkimit Evropian, ndërsa disa kryetarë komunash paralele, që përfaqësojnë partitë ekstreme në Serbi, deklarohen pro referendumit.

Edhe zyrtarët nga Beogradi, ndërkaq vazhdojnë të bëjnë thirrje që referendumi, me të cilin qytetarët do të deklarohen nëse pranojnë apo jo institucionet e Kosovës, është i panevojshëm.

Kryetari i komunës paralele të Leposaviçit, Branko Niniç, ka propozuar që mbajtja e këtij referendumi të shtyhet. “Arsyeja që duhet të shtyhet referendumi ka të bëjë me deklaratat e diplomatëve evropianë se ky referendum do të sjellë pasoja në integrimin e Serbisë në BE. Nuk jam kundër mbajtjes së tij, por jam kundër dëmtimit të shtetit të Serbisë”, tha Niniç.

Përveç këtij të fundit, kryetarët e tjerë të komunave veriore vazhdojnë të mendojnë se referendumi duhet të mbahet sipas datës së paralajmëruar. Marko Jakshiç, politikan në veri, nga Partia Demokratike e Serbisë, është i vendosur që referendumi të mbahet më 14-15 shkurt, pavarësisht thirrjeve nga Beogradi zyrtar për anulim të tij.

“Referendumi do të mbahet siç është paralajmëruar, sepse është në interes të popullit serb. Është e vërtetë që kemi thirrje nga Beogradi për ta anuluar, por thirrja e tyre ka të bëjë me faktin e statusit të kandidatit të Serbisë për në BE”, tha Jakshiç, duke shtuar se Beogradi ngadalë po pranon pavarësinë e Kosovës, e populli serb nuk mund ta lejojë këtë.

Sipas Jakshiçit, i cili është përfaqësues i partisë së Vojisllav Koshtunicës, Qeveria e Serbisë shumë shpejt do të bjerë, prandaj edhe nuk ka shumë rëndësi se çfarë thonë përfaqësuesit e saj për referendumin.

Kurse kryetari i komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantiç, citohet të ketë thënë për mediat serbe, se asnjë zyrtar i lartë i Beogradit nuk ka marrë mundimin që të flasë direkt me politikanët në veri për t`iu sqaruar atyre se pse mund të jetë i dëmshëm ky referendum.

Sa i përket statusit të kandidatit të Serbisë në BE, që ky referendum mund ta rrezikojë atë, Pantiç thotë se, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për shkak se për këtë ka garantuar vetë raportuesi i Këshillit të Evropës, Jelko Kacin, sipas të cilit referendumi nuk ka të bëjë me marrjen e statusit të kandidatit.

Në anën tjetër, Oliver Ivanoviç, sekretar për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, tha për “Zërin” se edhe nëse mbahet ky referendum, ai nuk do të merret seriozisht nga Serbia, për shkak se nuk është legjitim. “Megjithatë, unë pres që udhëheqësit e veriut të mendohen më mirë dhe të heqin dorë nga ky referendum, por nëse jo, prapë ai (referendumi) nuk do të ketë efekt ligjor”, tha Ivanoviç.

Ndërkohë vetë lideri serb, Boris Tadiç, u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë të veriut se ky referendum nuk ka nevojë të mbahet, duke u siguruar atyre se shteti i Serbisë punon çdo ditë në ruajtjen e integritetit të Kosovës dhe se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)