Serbët në Veri kanë mbetur vetëm
Mirovicë, 26 tetor - Serbët në Veri kanë mbetur as me Beogradin, as me Prishtinën. Ata nuk po e dëgjojnë më asnjërën palë.
Tash edhe Serbia zyrtare, kërkesat e tyre i quan joreale. Të vetmit që po flasin me serbët e radikalizuar janë KFORi. Këtë pritet ta bëjnë edhe të mërkurën.
Të dy palët duket të jenë të vendosur. Serbët lokalë të Veriut të Kosovës janë të vendosur të qëndrojnë në barrikada. Por edhe KFORi duket të jetë i vendosur në qëndrimin e vet se ato pengesa duhet të hiqen. Kështu së paku thonë publikisht.
Ato që kryetarët ilegalë të komunave të Veriut të Kosovës ia thanë të dielën Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, e me të cilin nuk u pajtuan, ia thanë të martën edhe Komandantit të KFORit Erhard Drews.
Por as ky i fundit nuk u pajtua me qëndrimin e tyre. Drejtuesit ilegalë janë të gatshëm që KFORi dhe EULEXi të kalojë nëpër barrikada, por jo të bartin policë dhe doganierë të Kosovës, në mënyrë që ata të vendosen në pikat kufitare 1 dhe 31.
Këtë propozim të tyre ata e bënë publik të martën në një takim me gazetarë në Zveçan, duke sqaruar se me këtë ide, ata e kanë informuar nëpërmjet një letre edhe KFORin, dërguar të hënën në mbrëmje.
Në të njëjtën kohë, ata i kanë bërë ftesë Komandantit të KFOR-it, Erhard Drews për vazhdim të bisedimeve, e që problemi i barrikadave të zgjidhet sa më lehtë e mirë.
Kur është fjala për dialog, duket se edhe KFORi është i gatshëm, ndonëse zyrtarët e saj kërkojnë që barrikadat të largohen pa asnjë kusht dhe qarkullimi nëpër rrugë të jetë i lirë për të gjithë. Megjithëkëtë, të mërkurën rreth orës 14, pritet që KFORi, EULEX-i, OSBEja dhe UNMIKu, të mbajnë një takim në Zveçan me zyrtarët e strukturave paralele të serbëve atje.
Pavarësisht kësaj, zyrtarë të KFORit thanë të martën se për ta, asnjë kusht i vendosur nga serbët nuk është i pranueshëm. Liria e lëvizjes për të gjitha palët nënkupton për organizatat ndërkombëtare, sikurse edhe për gjithë popullin e Kosovës - kjo duhet të arrihet.
Liria e lëvizjes vetëm për KFORin, për shembull për të furnizuar ose për diçka të tillë, por jo për EULEXin, nuk është e pranueshme, ka thënë Uwe Nowicki, një nga zëdhënësit e KFORit.
Sipas tij, Komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës, herën e fundit - të shtunën e kaluar - se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për secilin, në çdo kohë.
Kjo është shumë e qartë. Asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme, tha Nowicki për Radion Evropa e Lirë. Ai u ka rikujtuar edhe një herë serbëve në Veri se liria e lëvizjes nuk mund të kushtëzohet.
Por nuk janë vetëm forcat ndërkombëtare të sigurisë që u kërkojnë serbëve ti largojnë barrikadat. Edhe shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic u ka thënë opozitarëve në Serbi dhe atyre në Veriun e Kosovës, se kërkesat e tyre jorealiste do të thellonin krizën ndërmjet KFORit dhe protestuesve serbë.
Kryenegociatori serb, Borislav Stefanoviq tha për të përditshmen serbe, Veçernje Novosti, që rezultati më i keq për Serbinë dhe serbët e Kosovës, është nëse përfaqësuesit e katër komunave serbe në Veri të Kosovës nuk u binden vendimeve politike të Beogradit.
Serbët e Kosovës kanë ngritur 16 barrikada në Veriun e Kosovës, në rrugët që çojnë në kufirin me Serbinë, për të parandaluar zyrtarët shqiptarë të Kosovës të dërgojnë punonjësit e doganave në vendkalimet kufitare.
Stefanoviq i tha gazetës se përçarjet e mëtejshme në Veri të Kosovës, do të jenë vetëm në favor të Prishtinës dhe do të përplasin kërkesat jorealiste të opozitës serbe për të ndërprerë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.