Serbët mbajnë referendumin në veriun e Kosovës
Mitrovicë, 14 shkurt - Në pjesën veriore të Kosovës sot do të mbahet referendumi lidhur me pranimin ose jo të institucioneve të Kosovës.
Referendumi i serbëve është hedhur poshtë nga institucionet ndërkombëtare, ato të Beogradit dhe autoritetet e Kosovës, dhe se rezultatet e tij nuk do të kenë kurrfarë efekti.
Por, serbët e veriut nuk janë tërhequr nga organizimi i tij, madje edhe pas vërejtjeve të Beogradit zyrtar, i cili ka drojën se një referendum i tillë mund ti kushtojë Serbisë me humbjen e statusit të kandidatit për integrim në BE.
Organizimi i referendumit pason një gjendje disa vjeçare të ngrirë në veri, ku institucionet e Kosovës si edhe misionet ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e vet në atë pjesë ku kanë funksionuar vetëm institucionet paralele të mbështetura nga Serbia.
Fletëvotimet e këtij referendumi përmbajnë pyetjen: A i pranoni institucionet e Kosovës? - dhe poshtë mbajnë edhe përgjigjet: Po dhe Jo, të cilat duhet të rrumbullakohen nga votuesit.