Serbët kundër hapjes së gjykatës së Kosovës në veri
Mitrovicë, 5 prill - Kryetari i Gjykatës së Lartë në veri të Mitrovicës, Nikola Kabashiç që punon në sistemin juridik të Serbisë, ka thënë se serbët në atë qytet nuk do lejojnë hapjen e gjykatës që do të punonte në kuadër të institucioneve të Kosovës.
Kabashiç ka deklaruar se në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë e komunitetit, ekziston shqetësimi i madh se rinovimi i ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës është faza e parë e instalimit të institucioneve të drejtësisë së Prishtinës.
\"Çdo aktivitet i njëanshëm që në Mitrovicë të hapet e ashtuquajtura gjykatë e Republikës së Kosovës për ne është e papranueshme\", ka thënë ai. Sipas tij, asnjë zgjidhje afatgjate nuk mund të realizohet pa pëlqimin e Beogradit dhe drejtësisë lokale dhe banorëve serbë.