Serbët e veriut presin përgjigje nga Beogradi
Prishtinë, 18 prill - Udhëheqësit e serbëve të veriut të Kosovës do të zhvillojnë sot konsultime mbi “hapat që do të ndërmarrin, e të cilat varen nga rezultati i raundit të fundit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe përgjigja nëse kjo pjesë e Kosovës do të mbetet në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë”.
Dragan Milloviq, njëri nga këta udhëheqës, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, se nuk ka informacione të mjafueshme për dialogin dhe prandaj nuk e komenton dot raundin e fundit.
”Presim përgjigje nëse veriu i Kosovës do të vazhdojë të mbetet në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë, cilat ligje dhe cila kushtetutë do të zbatohet në këtë territor, dhe jo për atë nëse ne do të jemi at që do të zgjedhim komandantët e policisë”, ka thënë Milloviq.
Ai ka shtuar se liderët e serbëve të veriut janë në pritje të Aleksandar Vulinit, shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, për të dhënë më shumë informacione dhe ofertat që i janë propozuar ekipit serb në Bruksel.
Raundi i nëntë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve u zhvillua më 17 prill, por përfundoi pa marrëveshje.
(REL)