Serbët e veriut fuqishëm e kundërshtojnë marrëveshjen
Mitrovicë, 3 maj - Kryetari ilegal i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka thënë se nuk ka shanse që qëndrimet e serbëve të Kosovës, sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, të afrohen me qëndrimet e Qeverisë së Serbisë.
Marrëveshja, e cila serbët do ti vinte nën Kushtetutën dhe ligjet e Prishtinës, është e papranueshme për cilindo serb në Kosovë. Lufta jonë kryesore është që të mbetemi në sistemin e Serbisë, gjë që na garanton edhe Kushtetuta e Republikës, ka thënë Ristiq për gazetën beogradase Politika.
Serbët e veriut të Kosovës kanë kundërshtuar marrëveshjen, duke kërkuar fillimisht nga Beogradi refrendum për të, ndërsa pastaj nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë që të japë mendimin në lidhje me ligjshmërinë e saj.
Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se javën e ardhshme, në mes të 7 dhe 12 majit, do të vizitojë Kosovën.
Ristiq ka thënë se Vuçiq është i mirëpritur në veri të Kosovës, por ka këmbëngulur se qasja e serbëve nuk do të ndryshojë.
Për Beogradin është i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjes me Kosovën, pasi synon që në muajin qershor të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.