Serbët e Mitrovicës veriore me dokumente të Kosovës
Qeveria e Kosovës, ndërkaq, konsideron se bisedimet e nisura me Beogradin mund të ndihmojnë në realizimin e procesit të decentralizimit, i cili duhet të shtrihet edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.
Zyra e Shërbimit Civil, e themeluar vitin e kaluar në Lagjen e Bonjakëve, vazhdon të lëshojë dokumente të Republikës së Kosovës, duke filluar nga certifikatat e lindjes, të vdekjes, letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferë për të gjitha komunitetet. Sipas përfaqësueseve të kësaj Zyre, numri më i madh i qytetarëve që marrin dokumente në këtë zyrë është ai i komunitetit serb, duke pasuar nga ai bonjak dhe shqiptar.
Nga ana tjetër, Beogradi krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës e konsideron si provokim për qytetarët e atjeshëm. Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, ka pohuar se themelimi i kësaj komune përveç se është një provokim, mund të nxisë edhe reagime.
Mirëpo, zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sllobadan Petroviç mendon të kundërtën, duke thënë se rezultatet fillestare të procesit të decentralizimit në Gracanicë, Ranillug, Kllokot dhe Partesh janë shembulli më i mirë për qytetarët e veriut që ata të besojnë në procesin e decentralizimit dhe në dobinë që ky proces sjell në kualitetin dhe sigurinë e jetës së tyre.
Sipas tij, pa krijimin e komunës së re në veri nuk mund të ketë as shtrirje të autoritetet të institucioneve të Kosovës, pasi siç ka pohuar ai, Zyra Ndërlidhëse Civile në Lagjen e Boshnjakëve është mjaft e cunguar si nga stafi ashtu edhe me resurse të tjera.