Serbët e Kosovës votojnë për presidentin e Serbisë
Prishtinë, 20 maj - Raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e Serbisë, në Kosovë po organizohet nga ana e OSBE-së, ashtu siç ishin pajtuar paraprakisht Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd.
Misioni i OSBE-së ka njoftuar se të gjitha vendvotimet, gjithsej 90, të mundësuara nga ky mision, janë hapur sot në Kosovë në ora 07:15.
Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes, citon komunikata e lëshuar nga Zyra për Informim, shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer. Për tu njoftuar nga afër me ecurinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Almhofer ka vizituar një qendër votimi në Graçanicë.
Nga aspekti i sigurisë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve po përkujdeset edhe Policia e Kosovës. Një kujdes i shtuar po u kushtohet sidomos viseve të banuara me popullatë të përzier.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se Policia e Kosovës ka një plan veprimi enkas për këto zgjedhje. Deri më tani, nga aspekti i sigurisë, ai ka konfirmuar se nuk është shënuar asnjë incident dhe se sipas tij, nuk ka indikacione që mund të ketë ndonjë tensionim apo përshkallëzim të situatës.
Që nga orët e hershme të mëngjesit i kemi ofruar asistencën e nevojshme OSBE-së me përcjelljen e materialit zgjedhor deri në qendrat e votimeve, në gjithsej 13 lokacione të votimeve. Policia e Kosovës do të jetë prezente për të ofruar sigurinë, e veçanërisht shtimin e prezencës në zonat e banuara me popullatë të përzier për të evituar çfarëdo lloj eksesi të çfarëdo lloj karakteri, ka bërë të ditur Hoti.
Më 6 maj, po nën organizimin e OSBE-në territorin e Kosovës u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, përderisa ato lokale, nuk kishin mbështetjen ndërkombëtare, kështu që ato u zhvilluan vetëm në dy komuna veriore të populluara me shumicë serbe nën organizimin e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.