Selmanaj: Kjo qeveri nuk do të mund të mbijetojë as një vit
"Ne kemi shumë pyetje për zotin Hardinaj, si pyetje e parë është se çka përmban marrëveshja me Listën Serbe. Duhet të kemi parasysh se para pak muajsh, presidenti Aleksandër Vuçiq kërkonte me ngulm ekstradimin e Hardinajt në Bograd, kurse tani kemi një marrëveshje me Listën Serbe që është e ndikuar drejtpëdrejt nga Beogradi", ka thënë Selmanaj.
Sipas tij, kjo është qeveria e parë që varet tërësisht nga Beogradi. "Në të kaluarën, qeveria ka pasur 87 vota, kurse tani kemi një shumicë minimale prej 61 votave. Pakica serbe është kategori kushtetuese dhe duhet të respketohet në maksimum, por shteti nuk guxon të varet tërësisht nga një subjekt i tillë si Lista Serbe. Ata na sollën në një situatë që të presim me orë dhe me minuta derisa ata të jenë të gatshëm të vijnë dhe të bëjnë qeverinë e re. Ne kemi mjaft deputetë shqiptarë që të bëjnë një qeveri me shumicë shqiptare. Dikush vendosi që të bëjë një koalicin me 24 parti politike dhe të kenë një shumicë të vogël të deputetëve shqiptarë", ka thënë Selmanaj.
Selmanaj ka thënë se dje kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për programin qeverisës, pasi kryetari Veseli ua ka mohuar dje të drejtën për debat.
"Ne dje kemi taktizuar për të parë qytetarët që të shohin populli varësinë nga Lista Serbe dhe këtë e kemi arritur. Ne kemi kërkuar pastaj që të tërhiqet ky mocion, por kjo nuk është respektuar", ka thënë Selmanaj.
"Ne jemi në respektim të rregullores dhe Kushtetutës së vendit dhe po përpiqemi për ruajtjen e dinjitetit të këtij shteti. Unë nuk jam i sigurt që kjo ministri të kalojë një vit. Kjo qeveri do të rrëzohet edhe për tema shumë të vogla dhe jo për tema të mëdha. Kryeministri është kryeministër i vetëm dy deputetëve të AAK-së. Duhet të themi se kryeministër i ministrave të PDK-së është Kadri Veseli, i atyre të AKR-së është Pacolli, kurse i Listës Serbe është Aleksandër Vuçiq", ka thënë Selmanaj.
Sa i përket fjalorit të deputetit të Milaim Zekës i cili ka përdorë gjuhë fyese, Selmanaj ka thënë se kryetari Veseli nuk ka përdorë masa adekuate ndaj deputetit Zeka.
"Duhet të regjistrohet çdo vendim për ndëshkimin e një deputeti dhe jo të bëhet vetëm me gjeste siç veproi Veseli në rastin e deputetit Zeka", ka thënë Selmanaj.