Selimi: Nuk do të ketë seancë ku Thaçi do të votohej për President
Prishtinë, 12 janar - Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se opozita nuk do ta çojë larg organizimin e protestës së radhës, por nuk ka specifikuar datën e saktë të thirrjes së saj.
Ai ka thënë se nuk pret që do të ketë seancë, në të cilën Hashim Thaçi do të votohej për postin e presidentit të shtetit.
Por ka garantuar se metodat do të jenë të njëjta me ato të protestës të së shtunës.
Do të ketë protesta të reja, për aq sa nuk do të ketë vendime të qeverisë për tërheqje nga Marrëveshjet e dëmshme. Nuk do të jenë nesër e pasnesër, por as nuk do të jetë periudha të gjata pa protesta, ka thënë Selimi.
Kjo kohë, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së, duhet ti shërbejë Qeverisë për të reflektuar që të tërhiqet.
Dorëheqja nuk është më akt moral, por është detyrim ligjor, ka thënë Selimi.
Ai ka treguar se do të vazhdojë edhe bllokada në Kuvendin e Kosovës.
Selimi e ka quajtur cinike dhe arrogancë politike një deklaratë të Thaçit, dhënë më herët se e tërë opozita nuk ka vota sa partia që ai udhëheq.
Selimi ka thënë se nuk pret që do të ketë seancë, në të cilën Hashim Thaçi do të votohej për postin e presidentit të shtetit.
Ai thotë se koalicioni qeverisës shpreson në atë seancë për shkak të një interesi të përbashkët nga tre persona.
Edhe pse Selimi thotë se opozita do të vazhdojë bllokadën në Kuvend dhe nuk do të lejojë mbajtjen e seancave, ai thotë se kjo seancë është shpresë për Thaçin që të fitojë postin e presidentit, e Mustafës për vazhdim të koalicionit dhe personi i tretë që do të përfitonte nga kjo seancë do të ishte ai që do të marrë udhëheqjen e PDK-së.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin se vendi nuk duhet të vijë fare deri te ajo seancë.
Deputeti i Vetëvendosjes është shprehur i bindur se ata që kanë hedhur koktej molotovi në drejtim të Policisë së Kosovës dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës nuk janë aktivistë të Vetëvendosjes, e as që kanë qenë pjesë e organizimit të protestës të së shtunës.
Selimi ka kujtuar se si ka tentuar ti ndalë, por ka thënë se e ka pasur të pamundur ta bëjë këtë, meqë kanë qenë njerëz të shumtë dhe të rinj të mllefosur.
Ata nuk kanë qenë pjesë e organizimit tonë. Sikur të ishte pjesë e organizimit tonë do të mund të komentoja. Asnjërin nga ata nuk e kam identifikuar dhe nuk e kam njohur. Asnjërin pa përjashtim. Sikur të kisha njohur do të kisha ndikim që ti ndalojë. Do të doja ti identifikoja, sepse ashtu do ta kisha më të lehtë ti ndaloja, ka thënë Selimi.
Deputeti Selimi, ka thënë se përgjegjëse për eskalimin e kaluar por edhe atë të ardhshëm të mundshëm, mbetet Qeveria e Kosovës, përcjell Koha.net.
Sepse është në dorën e saj që të ndalë këtë që po ndodh. Duhet thjeshtë të tërhiqet, ka thënë Selimi.
Por ka qenë hiç më pak se kryeministri i vendit, Isa Mustafa, që është shprehur i bindur se dhuna në protestën e 9 janarit ishte e planifikuar nga opozita. Për këtë ka marrë shkas faktin se ajo eskaloi me të përfunduar fjalimet e krerëve opozitarë.
Protesta është paralajmëruar që si e tillë të jetë e qetë por si duket çdo gjë është llogaritur nga ata, sepse pas përfundimit të fjalimeve eskaloi dhuna. Dhe ky eskalim më pas u arsyetua nga organizatorët e protestës se njerëzit përdorën dhunë pasi që janë të mllefosur, ka thënë Mustafa në një paraqitje televizive.
Mustafa ka thënë se qytetarët janë të mllefosur nga të pavërtetat që po ua plason opozita derisa ka thënë se Qeveria nuk mund rrëzohet me dhunë.
Mllefi gjithmonë arrihet nëse organizohet përpara, nëse njerëzve ju plasohen të pavërteta shumë të mëdha siç po plasohen tani nga udhëheqësit e opozitës, ka thënë Mustafa.
E pavërteta, sipas kreut të ekzekutivit, është se nuk kemi asnjë shkelje të Kushtetutës, se nuk është cenuar fare sovraniteti dhe integriteti i vendit dhe e pavërtetë e madhe është se Qeveria e Kosovës nuk po punon për interesa të qytetarëve të vendit.
Thyerje e rendit kushtetues në tentativë, e ka quajtur Selimi nënshkrimin e dy marrëveshjeve atë me Serbinë për Asocacionin dhe me Malin e Zi për demarkacionin, i bindur se populli nuk do ti lejojë ata që të gabojnë e të shkelin Kushtetutën.
Deputeti Selimi e ka quajtur protestën e së shtunës kyçe në rrugëtimin e opozitës në kundërshtim të dy marrëveshjeve, e të cilat ai i ka quajtur tejet të dëmshme për Kosovën.
Ai ka thënë se masiviteti i saj duhet të jetë sihariq për Isa Mustafën e Hashim Thaçin se populli nuk i do më në krye të shtetit.
Faktor në këtë rrugëtim është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse e forcon argumentin tonë se në krye të shtetit kemi shkelës të Kushtetutës, ka thënë Selimi.
Selimi ka kundërshtuar edhe njëherë deklarimet e policisë duke kujtuar se ato tashmë janë kthyer në një satirë që kanë parë 8 mijë protestues. Ai ka thënë se nuk dëshiron të kapet për numra, duke mos komentuar fort as numrin e thënë nga subjektet opozitare, e që ka qenë 100 mijë protestues.