Selimi dhe Çeku do ti bashkohen PDK-së
Prishtinë, 12 maj - Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të FSK-së, Sylejman Selimi, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë do ti bashkëngjitet radhëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja Tribuna Shqiptare në Prishtinë, e cila thekson se në kuadër të rigrupimeve të reja në PDK, pritet edhe ardhja e Selimit, por edhe dy ish-përfaqësuesve të lartë të UÇK-së, Kadri Veseli, i njohur si ish-shefi i SHIK-ut si dhe Agim Çeku, aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci ka theksuar se organet partiake së shpejti do të vendosin lidhur me mbajtjen e Kuvendit zgjedhor partiak.
Sipas tij, pas tre muajve sigurisht do të mbahen zgjedhjet e reja brenda PDK dhe prurje të reja nga sfera politike dhe shoqërore në kuadër të këtij subjekti.