Sekretari i Përgjithshëm i AAK-se u prit nga Princ Leka II
Tiranë, 17 mars - Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, u prit sot (e mërkurë) në Tiranë nga Shkëlqesia e Tij, Princi Leka II, në kuadër të një vizite pune që po zhvillon në Shqipëri.
Sekretari Ramadani e njoftoi Princ Lekën me zhvillimet e përgjithshme politike në Kosovë, sikurse edhe me vizionin dhe përkushtimin e AAK-së për të funksionalizuar shtetin e Kosovës.
Sekretari Ramadani shprehu respektin e fuqishëm të AAK-së dhe të popullit të Kosovës për familjen mbretërore shqiptare, për shtetin dhe popullin shqiptar.
Kosova ka nevojë edhe më tutje për mbështetjen e familjes mbretërore, shtetit dhe popullit shqiptar në sfidat që përballet në aspektin politik dhe atë ekonomik, tha ndër të tjera Ramadani.
Ai më tutje prezantoi vizionin e AAK-së për të ndërtuar një qeveri të djathtë në Kosovë, për të siguruar sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, zhvilluar ekonominë e vendit, arsimin dhe shëndetësinë, sikurse edhe përkushtimin e fuqishëm në intergrimet evro-atlantike të Kosovës.
Nga ana e tij, Princ Leka II shprehu përkrahjen e vazhdueshme të familjes mbretërore shqiptare për Kosovën dhe për zhvillimet e përgjithshme politike dhe ekonomike. Pinc Leka II tha se përcjellë me vëmendje situatën në Kosovë dhe theksoi gatishmërinë e vazhdueshme për të ndihmuar Kosovën.
Princi Leka II dhe Sekretari Ramadani u pajtuan për të zhvilluar edhe më shumë komunikimin e mirë midis Kosovës dhe Shqipërisë.