Sejdiu: Shëmbëltyra e familjes Jashari është unikate
Prekaz, 6 mars - Në ditën e dytë të manifestimit të Epopesë së UÇK-së, Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Fatmir Sejdiu së bashku me bashkëpuntorët e tij, kanë bërë homazhe pranë varreve të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
Unë erdha sot me bashkëpunëtorët e mi sikur edhe gjithmonë në nderim të komandatit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, në nderim të Shabanit e Hamzës, dhe të gjithë tjerëve që u sakrifikuan për lirinë e vendit, tha Presidenti Sejdiu.
Jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë njerëzit e botës që e duan lirinë, shëmbëlltyra e familjes Jashari është unikate. Në ditët kur duhej më së tepërmi që të jetë kjo shëmbëlltyrë, ata e bënë, vijoi Presidenti.
Kanë mbetur unikat me veprimin e tyre, për breza e breza që do të vijnë, jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzit e tjerë të botës që e duan lirinë njerëzore, tha Presidenti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu tha se mbetet borxh i vazhdueshëm që Kosovën ta bëjmë ashtu siç kanë dashur të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e saj.
Për mua është një nder i veçantë, se kam pasur mundësinë që ta njoh edhe për së gjalli dhe e kujtoj edhe kohën e sulmeve të egra që kanë qenë ndaj familjes Jashari, kohën kur ka ditur në mënyrën më të mirë të mundshme të rezistojë ndaj atij presioni të madh, që gjithë makineria serbe e ka bërë ndaj tij dhe ndaj familjes. Natyrisht, është e paharrueshme gjithë ajo pjesë, apo jetë e përkushtimit të tij për ditën e sotme, tha Presidenti Sejdiu.
Pas homazheve, Presidenti Sejdiu vizitoi edhe familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari Rifat Jashari.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarët e kryesisë së Kuvendit dhe këshilltarët e tij, sot ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, dhe ka vendosur një kurorë lulesh.
Kryeparlamentari Krasniqi tha në këtë rast, se para 12 viteve, në këtë vend, janë shpërndarë rrezet e dritës dhe të lirisë.
Sot, pas 12 vjetëve, të gjitha rrugët e Kosovës sjellin në Prekaz, për të nderuar dhe për tu përkulur para atyre që gjithçka që patën, e dhanë për lirinë dhe ardhmërinë e vendit tonë, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.
Më pas, kryeparlamentari Krasniqi ka vizituar familjen Jashari, ku është pritur nga Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar Adem Jashari.