Sejdiu përuroi bibliotekën e Sh.F Xhemail Mustafa
Prishtinë, 14 prill - Mendoj se është një traditë e filluar mirë dhe se do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ka ardhur koha e zhvillimeve të shpejta për Kosovën dhe posaçërisht të gjitha zhvillimet mund të mbërrijnë nivelin e tyre të lakmueshëm atëherë kur ka dije, kur ka përgatitje të mirë, tha Presidenti Sejdiu.
E pashë se biblioteka është e kombinuar mirë edhe në rrafshe të ndryshme të krijimtarisë apo dijes, prej asaj që mund të quhet dedikim për fëmijët deri tek pjesët e studimeve të thelluara për nivelin që i duhet kësaj shkolle dhe uroj që vërtetë këto përpjekje të mira të vazhdojnë edhe në shkollat e tjera të Kosovës dhe në qendra të tjera të rëndësishme, tha Sejdiu, duke premtuar përkrahjen e tij për projektet e bibliotekave nëpër shkolla.
Duke premtuar kontribut konkret për pasurimin e fondit të bibliotekës së kësaj shkolle, Presidenti Sejdiu theksoi se hapja e bibliotekave të reja dhe pasurimi i tyre me sa më shumë tituj është e rëndësishme, për faktin se nxënësit duhet të nxiten sa më shumë që të lexojnë, sepse ata që lexojnë dhe mësojnë do të kenë gjithmonë rrugët e hapura.
Pas përurimit të bibliotekës, nxënësit e shkollës fillore Xhemail Mustafa shfaqën një program artistik.