Sejdiu i gatshëm të takohet me Tadiçin
Zagreb, 26 janar - Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu shpreh gatishmërinë e plotë për tu takuar me homologun serb Boris Tadiç, por me kushtin që takim të jetë në cilësinë e presidentëve të dy shteteve të pavarura.
"Këto duhet të jenë bisedime ndërshtetërore, e jo çfarëdo bisedimesh për statusin e Kosovës, për çka edhe flitet vazhdimisht në Beograd. Ne jemi shtet i pavarur", ka thënë Sejdiu në një intervistë për të përditshmen e Zagrebit "Jutarnji List".
"Jemi të gatshëm t'i lëmë mënjanë ngjarjet e tmershme që kanë ndodhur, të gjitha ato krime që na janë bërë dhe të bisedojmë hapur dhe në formë të barabartë. Të gjithë ne duhet që me sjelljen tonë t'i kontribuojmë qetësimit të tensioneve në rajon, sepse të gjithë për synim kemi paqen, bashkëpunimin me të gjithë përreth, zhvillimin dhe anëtarësimin në NATO dhe BE", është shprehur Presidenti Sejdiu.
Ai ka vlerësuar se Serbia e sotme duhet të çlirohet nga barra dhe mbetjet e politikës së Millosheviçit. Gjithashtu, Presidenti i Kosovës ka shprehur keqardhjen që Tadiçi nuk ka ardhur në inaugurimin e Presidentit kroat, Ivo Josipoviç.
"Ardhjen time nuk e kam kushtëzuar", ka thënë Sejdiu. Ndërkohë, duke folur për jetën e serbëve në Kosovë, të atyre që gjenden jashtë rrjedhave politike dhe shoqërore të Kosovës, presidenti Sejdiu ka thënë se "një numër i caktuar serbësh nuk dëshiron ta njohë realitetin e ri".
Presidenti ka ftuar të gjithë serbët q t'i shfrytëzojnë të drejtat e tyre legjitime, në mënyrë që "bashkërisht të ndërtojnë një të ardhme më të lumtur në Kosovë".