Seemo e shqetësuar me situatën në RTK
Prishtinë, 18 shtator - Organizata e Medieve e Evropës Juglindore (SEEMO), është e shqetësuar me situatën aktuale në transmetuesin publik të Kosovës, RTK.
Konfliktet e përsëritura në mes të menaxhmentit dhe Sindikatës së Pavarur të RTK-së, supozohet të jenë shkaktuar nga përkeqësimi financiar, çështjet organizative dhe programore, dhe censurimi editorial i gazetarëve.
Anëtarët e sindikatës pretendojnë se përveç presionit të vazhdueshëm ndaj gazetarëve profesionistë, një tjetër problem i madh mbetet punësimi i pakontrolluar, pa u respektuar procedurat e punësimit dhe pa mbulesë financiare.
\"SEEMO i bën thirrje Menaxhmentit të RTK-së për t`i bërë transparente aktivitetet e tyre dhe të japë shpjegime për vendimet e mëparshme, të ngritura nga Sindikata\", ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç.
\"Mungesa e transparencës brenda një transmetuesi publik do të thotë se jotransparenca mund të pritet edhe nga jashtë. Është me rëndësi të madhe që RTK-ja t`i mbrojë gazetarët e saj dhe tu ofrojë atyre një atmosferë të sigurt të punës \", shtoi ai.