Seancë e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit
Prishtinë, 4 shkurt - Në procedurë të jashtëzakonshme parlamentare pritet të mbahet zgjedhja e kreut të shtetit.
Koha e seancës ende nuk është caktuar, por çështje ligjore që ndërlidhen me mbarëvajtjen e saj, janë duke u studiuar nga Zyra Ligjore e Kuvendit e edhe nga juristë të subjekteve politike në pushtet, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të gazetës të afërta me lidershipin e partive në pushtet, kanë theksuar të mërkurën se sesioni pranveror parlamentar do të hapet me seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Brenda dy-tre ditësh, përkatësisht këtë javë, partnerët e koalicionit do të vendosin se si të procedojnë me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Seanca do të thirret vetëm kur të sigurohemi se është kuorumi dhe votat e mjaftueshme për të proceduar me votimin, ka thënë ky burim.
Do të jetë seancë e jashtëzakonshme. Kjo nuk është risi, sepse të gjithë presidentët e pasluftës janë zgjedhur në seanca të jashtëzakonshme.