Seanca për Gjykatën Speciale mbahet më 29 maj
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli
Në mbledhjen e sotme, Kryesia kërkoi nga qeveria që për seancën e 29 majit, të procedojë në Kuvend Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.
Gjykata Speciale apo dhomat e veçanta do të hetojnë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran, Dick Marty, për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat janë hetuar më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare.
Ndërkaq Të enjten, më 28 maj, në orën 10:00, Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të dytë nëntë projektligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave: Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjin kundër diskriminimit, Projektligjin për barazi gjinore, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve dhe atë për kompensimin e viktimave të krimit.
Në këtë seancë, do të shqyrtohet në parim edhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.