19 Janar 2025

Seanca e rregullt e Kuvendit do të mbahet të enjten

Prishtinë, 16 dhjetor - Seanca e rregullt e  Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 19 dhjetor.

Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë  edhe shefat e grupeve parlamentare, duke e përcaktuar edhe rendin e ditës për këtë seancë.
 
Pas pikave të përhershme të seancave të rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë  propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e Strategjisë për  cilësinë e ajrit për vitin 2013-2022, si dhe Planit të veprimit për vitin 2013-2017.

Në vazhdim të seancës deputetët do të shqyrtojnë Raportin e performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2012, si dhe Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2012.

Në të njëjtën seancë do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me Raportin e  Progresit për Kosovën për vitin 2013, si dhe Raportin për ecurinë e procesit të  negocimit  të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për të cilat çështje Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend informatat e kërkuara.

Shefi i GP Vetëvendosje!, Visar Ymeri, duke e parë agjendën tepër të ngjeshur të kësaj seance, ka kërkuar që kërkesa e tij për debat  parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Zonën Industriale të Prishtinës, të shtrohet gjatë janarit të vitit të ardhshëm.

Për javën e ardhshme ka mbetur të shqyrtohet ( për herë të i dytë) Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014.

Qeveria e Kosovës  kishte  kërkuar që Buxheti të shqyrtohej në seancën e së enjtes. Këtë ide e ka mbështetur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-s, por ka dominuar mendimi se kjo është e pamundur, pasi që ende nuk e kanë dhënë qëndrimin e tyre komisionet parlamentare, pos atij për Buxhet dhe Financa.

Sa i përket kërkesës së deputetit Elmi Reçica, e mbështetur edhe nga tetë  deputetë të tjerë, për debat  parlamentar lidhur me privatizimin e Fabrikës për prodhimin e gypave në Ferizaj, Kryesia ka mbajtur qëndrim, që ajo duhet të plotësohet dhe qartësohet, para se të radhitët për shqyrtim në seancë.

Kërkesa për procedimin e Projektligjit për shërbimin gjeologjik (e hartuar nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri) është vendosur t’i delegohet këtij komisioni funksional që të përgatisë raportin me rekomandime.

Kryesia e ka tumir kërkesën për formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të  Radiotelevizionit të Kosovës, duke kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që deri ditën e seancës t’i propozojnë nëntë anëtarë të këtij Komisioni (PDK dhe LDK nga dy kurse VV, AAK,KKR dhe 6+ nga një, si dhe një tjetër SLS dhe AP (me marrëveshje).

Debat i gjallë, ndërkaq, është zhvilluar lidhur me rekomandimin e  Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike,  Qeverisje Lokale dhe Media për shkarkimin e  tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.

Duke qenë se njëri nga anëtarët e KPM-së, në ndërkohë ka vdekur, Kryesia është pajtuar ta shtrojë në Kuvend shkarkimin e dy kandidatëve, duke e rezervuar të drejtën që grupet parlamentare të shprehin qëndrimin e tyre të qartë, për këtë rast, si dhe për raste të shumta të dështimit të përzgjedhjes së drejtuesve dhe të anëtarëve të agjencive të ndryshme në Kosovë.

Kryesia është njoftuar lidhur me realizimin e vizitës zyrtare të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për  në Parlamentin Evropian (nga 25-26 nëntor 2013).

Është njoftuar  gjithashtu edhe me shkresën e ish-anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të këtij Këshilli nga Komisioni Ad-Hoc.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)