Seanca e parë e sesionit vjeshtor mbahet më 12 shtator
Prishtinë, 5 shtator - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , ka mbajtur sot mbledhjen e saj të parë të sesionit vjeshtor.
Në këtë takim të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që seanca e parë e këtij sesioni të mbahet më 12 shtator.
Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta:
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës, dhe Koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë gjashtë raporte të agjencive që i përgjigjen Kuvendit: Raportin vjetor të Radiotelevizonit të Kosovës për vitin 2012,
Raportin vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2012, Raportin vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2012, Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri për mbikëqyrjen e buxhetit të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe Raportin e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë seancë do të zgjedhet një anëtar i Komisionit të Pavarur për Media, si dhe do të formohet Komisioni ad-hoc për shqyrtimin e aplikacioneve lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Si pikë e fundit e kësaj seance do të jetë shqyrtimi i Raportit të Komisionit qeveritar për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së.
Kryesia, ndërkaq, është njoftuar me propozimin deputetit Amir Ahmeti, i mbështetur nga 29 deputet nënshkrues, për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.