Seanca e parë e punës e Kuvendit mbahet më 3 mars
Prishtinë, 25 shkurt - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, është shqyrtuar propozimi për formimin e komisioneve parlamentare.
Në funksion të një efikasiteti më të madh të punës së legjislativit të vendit është thënë se duhet të zvogëlohet numri i komisioneve parlamentare.
Është përvijuar ideja që në Legjislaturën IV duhet të funksionojnë 12 komisione parlamentare (nga 16 sish sa kanë funksionuar në Legjislaturën III).
Numri dhe struktura e komisioneve parlamentare, ndërkaq, do të diskutohet edhe një herë, ditën e hënë, në takimin e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, para se çështja të nxirret për miratim në seancë plenare të Kuvendit.
Kryesia ka vendosur që seanca e parë e punës e Kuvendit të mbahet më tre mars.
Në këtë seancë do të nxirret për shqyrtim dhe miratim propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin mars të vitit 2011, të përcaktuar në Ligjin 03/L-218 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.03/L-177 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010.